Ministria e Mbrojtjes: Forcat ajrore italiane do të marrin pjesë në patrullimin në qiellin e Maqedonisë së Veriut
Ministria e Mbrojtjes sot bëri të ditur se konform me parimet e NATO-s dhe në drejtim të përforcimit të misionit të patrullimit ajror (AIR Policing) mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut, është marrë vendim që Republika e Italisë si pjesë e forcave e angazhuar për krahun jugor të NATO-s me aftësitë e saja të aviacionit të kontribuojë në realizimin e këtij misioni.
Në periudhën që vijon, siç theksojnë nga MM, do t’i qaset madje edhe harmonizimit dhe aranzhimit teknik midis dy vendeve, pas nënshkrimit të të cilit Italia edhe zyrtarisht do të përfshihet në këtë mision të NATO-s mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut. Patrullimi do të realizohet midis forcave ajrore të vendit, asaj greke dhe italiane në koordinim me Qendrën e operacioneve ajrore të NATO-s në Torejon të Spanjës, theksohet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes (MM).
Si pjesë e aleancës më të madhe politike ushtarake, patrullimi mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut është pjesë e misionit mbrojtës të aleancës së NATO-s për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve të vendit.
Nga MM theksojnë madje se gjatë vitit 2019 u soll vendimi i parë për patrullimin ajror, pas së cilës vijoi nënshkrimi i një marrëveshje teknike me Republikën e Greqisë.
“Ky është një mision në kohë paqeje që përfshin përdorimin e një Sistemi të vëzhgimit dhe kontrollit, si dhe avionë adekuat kundërajror dhe mbrojtës me qëllim për të ruajtur integritetin e hapësirës ajrore kombëtare”, theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes (MM).