(VIDEO) 15 muaj burg për anesteziologun që publikoi në “tik tok” pacientet e gjinekologjisë

(VIDEO) 15 muaj burg për anesteziologun që publikoi në “tik tok” pacientet e gjinekologjisë

Anesteziologu Valton Dervishi, i cili ka shpërndarë pamje të drejtpërdrejta në rrjetet sociale të pacienteve dhe puntorëve në Spitalin Klinik të Tetovës, në repartin e gjinekologjisë, e ka pranuar fajin dhe gjykata e ka dënuar me 15 muaj burg.

Ndaj tij rëndon akuza e dy veprave penale “shkelje në shërbim” nga neni 353 i Kodit Penal dhe veprën penale “Regjistrim i paautorizuar nga neni 152”. Gjykata e dënoi atë me një vit burg për krimin e parë dhe pesë muaj për të dytën, por për të dyja veprat bashkë një vit e tre muaj. Për dënimin e shqiptuar konsiderohet edhe koha e kaluar në paraburgim prej më 14 prill e deri më sot.

“Në ushtrimin e autoritetit dhe detyrës së tij ka vepruar nga pakujdesia në atë mënyrë që në ambientet zyrtare të Spitalit klinik të Tetovës, Reparti i Gjinekologjisë ka bërë video incizim të paautorizuar dhe menjëherë e ka transmetuar drejtpërdrejt në rrjetin social Tik-Tok, kështu pacientëve dhe punonjësve të dëmtuar ua ka shkelur të drejtat duke cënuar privatësinë dhe reputacionin e tyre, duke trazuar në masë të madhe viktimat dhe opinionin e gjerë, thuhet në aktgjykimin e lexuar nga gjyqtari Nazif Iljazi.

Personi i dënuar ka të drejtë ankese kundër aktgjykimit brenda tetë ditëve. Gjykata vendosi heqjen e paraburgimit dhe caktoi arrest shtëpiak prej 60 ditësh. I dënuari Dervishi i ka realizuar videot më 14 prill të këtij viti dhe më pas është denoncuar në polici. Ai u ndalua në të njëjtën ditë kur një gjykatës kishte urdhëruar ndalimin e tij në një procedurë të mëparshme.

Në ndërkohë Ora e mjekëve ia mori licencën e punës për shtatë vite.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING