Anulohet sërish seanca për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Anulohet sërish seanca për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Për herë të dytë shtyhet seanca për fjalët përmbyllëse në procesin gjyqësor për disa vepra penale lidhur me zjarrin  në spitalin modular në Tetovë në shtator të vitit 2021 ku humbën jetën 14 pesona.

Për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve, ish-drejtorit Artan Etemi, gjykatësi Jordan Vellkovski e ricaktoi gjykimin për më 29 maj në orën 10:00.

Seanca e radhës për fjalët përfundimtare u caktua për më 29 maj, ndërsa gjykatësi i cili e udhëheq këtë lëndë, tha se seanca e radhës do të zhvillohet edhe nëse nuk paraqiten të akuzuarit ose mbrojtësit ligjorë të tyre.

 

Ndryshe seanca e sotme duhej të vazhdonte me fjalët përmbyllëse të Prokurorisë dhe mbrojtjes së të pandehurve, të cilët ngarkohen për disa vepra penale të ndërlidhura me zjarrin në spitalin modular të Tetovës që ndodhi në shtator të vitit 2021, nga i cili humbën jetën 14 persona.

Ish-drejtorët, Florin Besimi dhe Artan Etemi, akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa mjeku Boban Vuçevski për “mos respektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Spitali Klinik, si person juridik, akuzohet për dy vepra penale – “shkaktim i rrezikut publik” dhe “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Në fillim të gjykimit, të akuzuarit deklaruan se e kuptojnë akuzën, por se nuk ndihen fajtorë.

MARKETING