(VIDEO) 8 vjet nga ngjarjet e Lagjes së Trimave, e vërteta e plotë nuk është zbardhur

(VIDEO) 8 vjet nga ngjarjet e Lagjes së Trimave, e vërteta e plotë nuk është zbardhur

Tetë vjet më parë, në orët e para të mëngjesit Kumanova u zgjua nën krismat e armëve. Në “Lagjen e Trimave” një grup i armatosur prej rreth 40 personash u përballën me forcat shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Si pasojë, humbën jetën 8 policë dhe 37 të tjerë u plagosën, ndërkaq nga grupi i aramtosur humbën jetën 10 persona. Përveç kësaj, nga luftimet u shkatërruan dhjetëra shtëpi, duke pasur parasysh se ngjarja ka ndodhur në lagjen urbane.

Edhe pse rasti ka epilog gjyqësor, madje të finalizuar në Maqedoninë e Veriut, me vendim të Gjykatës Supreme, e vërteta për këtë rast ende nuk është zbardhur tërësisht dhe po kontestohet nga pala mbrojtëse.

Për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” nga muaji shkurt i vitit 2016 në Gjykatën penale është zhvilluar seancë gjyqësore kundër 29 personave të cilët akuzohen për vepra penale “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit për rastin e Kumanovës para Gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fjator.

Rasti më vonë u bashkua me lëndën “Rufeja”  në të cilën u zhvillua proces kundër tetë personave ndihmës të grupit të armatosur nga “Lagja e Trimave” me çka numri i të akuzuarve u rrit në 37 gjithsej.

Nga 37 të akuzuar, 33 persona janë dënuar për veprat  “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”, ndërsa për katër persona është sjell aktvendim lirimi. Gjykata Penale në nëntor të vitit 2017 me burg të përjetshëm dënoi shtatë persona, me 40 vite burg dënoi 13 persona, me 20 vite burg dënoi 8 persona, me 12 vite u dënuan 2 persona, 2 të tjerë u dënuan me 13 vite, ndërsa njëri u dënua me 18 vite dhe një tjetër me 14 vite burg. Prej të dënuarve, 19 janë shtetas të Kosovës ndërsa të tjerët të Maqedonisë së Veriut.

Pas kaq vitesh, një pejsë e grupit ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për transferim në burgjet e Kosovës, kërkesa të cilët janë në shqyrtim, përkatësisht ende s’ka vendim përfundimtar.

Ndërkaq, Qeveria në muajin nëntor para tri vjetëve pranoi të hapet hetimi ndërkombëtar për rastin “Lagjja e Trimave”.

Së fundmi, Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, tha se në rrjedhë është procesi i kompletimit të dokumentacionit për transferimin e Grupit të Kumanovës, shtetasve të Kosovës që ishin pjestarë të sulmit, duke nënvizur se dinamika e realizmit të transferimit varet nga gatishmëria dhe shpejtësia e veprimit të gjykatave dhe institucioneve të tjera në këtë rast dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Linda Ebibi /SHENJA/

MARKETING