MF: Punohet në krijimin e sistemit për rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik, paga minimale ka rritje prej 12,55 për qind

MF: Punohet në krijimin e sistemit për rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik, paga minimale ka rritje prej 12,55 për qind

Zgjidhja që kërkojmë për pagat e të punësuarve në të gjithë sektorin publik është metodologjia e qëndrueshme dhe afatgjate e bazuar në kritere të përcaktuara në mënyrë objektive. Tashmë po punohet për Ligjin e Pagave në Sektorin Publik, i cili është publikuar në RVNE dhe është në diskutim publik. Çështjen e pagave do ta zgjidhim së bashku me partnerët tanë – sindikatat dhe punëdhënësit në Këshillin Ekonomik dhe Social, kumtuan sot nga Ministria e Financave (MF).

“Aktualisht punohet për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme sistemike që i referohet sektorit publik, duke ndjekur shembullin e pagës minimale dhe pensioneve. Në Ligjin e Nëpunësve Administrativë është krijuar metodologji me të cilën paga minimale vendoset si komponent bazë në pagën e administratës shtetërore dhe lidhur me këtë rriten pagat e të gjithë të punësuarve në administratën shtetërore në përputhje me kriteret e përcaktuara për rritjen e pagës minimale. Kjo i referohet të punësuarve që përfshihen me këtë ligj, ndërsa për të tjerët rritja e pagave rregullohet me marrëveshje kolektive. Bëhet fjalë për zgjidhje sistemike sa i përket pagave të të punësuarve në sektorin publik në bazë të kritereve të përcaktuara, të përshtatura sipas gjendjes në mënyrë objektive. Kjo zgjidhje u arrit për rritjen e pagës minimale dhe pensioneve. Sipas zgjidhjes në fjalë, në të ardhmen çdo vit në muajin mars do të përcaktohet rritja e pagës minimale në bazë të kritereve të definuara, rritjes së kostove të jetesës dhe rritjes së pagës mesatare. Ky është sistem i krijuar, i inkorporuar në ligjin në fjalë dhe do të implementohet në praktikë” thuhet në kumtesën e MF-së.

Në këtë mënyrë, me zgjidhjen e vendosur sistemike, nga ky muaj paga minimale shënon rritje për 2.175 denarë ose për 12.55 për qind në raport me muajin mars të vitit të kaluar.

Shënohet rritje edhe në pagën mesatare të të punësuarve në vend, e cila arriti 34 mijë denarë, me ç’rast rritja është mbi 13 për qind. Në të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, regjistrohet rritje e pagës mesatare neto pothuajse në të gjitha veprimtaritë.

“Në industrinë e përpunimit ka rritje pagash për rreth 16 për qind, ndërtimtari 20 për qind, tregti 12 për qind, transport 23 për qind, informacion dhe komunikim 17 për qind, veprimtaritë financiare dhe sigurimet 9 për qind, veprimtaritë administrative, ndihmëse dhe shërbyese 13 për qind, administratë publike dhe mbrojtje 6 për qind, në arsim 15 për qind, shëndetësi dhe mbrojtje sociale 5 për qind, art, argëtim dhe rekreacion 13 për qind, ndërsa në veprimtaritë krijuese, artistike dhe argëtuese, paga mesatare ka shënuar rritje për 17.8 për qind dhe është rreth 38 mijë denarë, ndërsa në fushën e bibliotekave, arkivave, muzeve dhe veprimtarive të tjera kulturore, paga mesatare është rritur për 15.5 për qind dhe është rreth 35 mijë denarë.

Kjo Qeveri, theksojnë prej atje ka ndërmarrë masa për rritjen e pagave dhe të mbrojtjes së standardit të qytetarëve. Gjatë vitit paraprak pagat janë rritur në arsimin fillor dhe të mesëm për 15 për qind, në kopshtet e fëmijëve për 15 për qind, në arsimin e lartë për 7 për qind (në vitin 2021 gjithashtu ka pasur rritje prej 8 për qind), në vitin 2022 në kulturë ka pasur rritje të pagave për 18 për qind, në  gjyqësor 15 për qind, në polici 5 për qind, etj.

MARKETING