(VIDEO) Ekspertë të Nato-s në Shkup për të ndihmuar në përballjen me bombat
Kërcënimet e vazhdueshme me bomba dhe sulmet hibride me të cilat përballet Maqedonia e Veriut, kanë qenë temë e bisedimeve të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski me Zv/Ndihmësin Sekretar të Përgjithshëm për sfidat e reja të sigurisë në NATO, Xhejms Apaturai. Nga qeveria informuan se në takim është konfirmuar se bëhet fjalë për tentativa dashakeqe për të futur frikë dhe trazira te qytetarët dhe për të cenuar besimin dhe kredibilitetin në institucione. Në takim morën pjesë edhe ministri i brendshëm, i mbrojtjes dhe ai i shoqërisë informatike.
QEVERIA
“Ministrat e pranishëm patën rastin të bisedojnë me ekipin e ekspertëve të NATO-s në drejtim të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra deri më tani që sigurojnë stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe për këtë arsye së bashku me shërbimet e sigurisë vlerësojnë situatën në vend si plotësisht të qëndrueshëm”.
Zëvendës-ndihmës sekretari i përgjithshëm Apaturai theksoi se sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut janë sfida për anëtarët e NATO-s dhe se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të merret më vetëm me kërcënimet hibride, ashtu siç nuk ka bërë deri më tani. NATO do të vazhdojë të ndajë njohuri dhe mbështetje teknike për të ndërtuar qëndrueshmëri afatgjate.
Që nga tetori i vitit të kaluar vendi përballet me alarme të rreme për bomba. Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 862 lokalitete në Shkup, janë angazhuar mbi 2.500 zyrtarë të policisë dhe janë harxhuar mbi 5 milion denarë.
Në shënjestër të sulmeve kibernetike kanë qenë shkollat, qendrat tregtare dhe institucionet publike. /SHENJA/