Një gjerman eliminon Dortmundin, Chelsea në çerekfinalet e Champions League

Një gjerman eliminon Dortmundin, Chelsea në çerekfinalet e Champions League

Chelsea bën realitet ëndrrën kualifikim përballë Borussia Dortmund, me londinezët që fituan 2-0 duke zhvlerësuar humbjen 0-1 në Gjermani.

Në një moment kritik, skuadra e Potter triumfoi përballë “verdhezinjve”, në një sfidë shumë të luftuar, me skuadrat që u prezantuan me shumë mungesa.

Londinezët kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë falë Sterling, me anglezin i cili realizoi në minutën e 43-të.

Fraksioni i dytë nisi shumë mirë për londinezët, pasi dyfishuan me penallti, pas një prekje të topit me dorë nga Wolf.

Kai Havert dyfishoi avantazhin në minutën e 52-të nga pika e bardhë e penalltisë, me gjermanin i cili goditi dy herë, sepse në momentin e parë kishte parregullsi, me arbitrin kryesor Makkelie i cili e përsëriti penalltinë dhe sulmuesi u tregua i saktë më pas.

Një moment i cili vendosi në punë mekanizmat e sulmit te Dortmund, por të besuarit e Terzic nuk ia dolën që të ndryshonin kursin e sfidës.

Në fund 2-0 në ” Stamford Bridge” dhe Chelsea prek fazën çerekfinale duke lëshuar edhe një sinjal kthese deri diku dhe duke rikthyer buzëqeshjen jo vetëm te skuadra, por edhe te drejtuesit e tifozët.

Në krahun tjetër, Dortmund mbyll këtu aventurën në Champions League dhe nuk ia del të prekë çerekfinalet për sezonin e dytë radhazi.

 

MARKETING