(VIDEO) VMRO: Kompani të dyshimta po fitojnë tenderë milionësh për autostradat
Partia opozitare VMRO DPMNE pretendon se Qeveria Kovaçevskit po hyn në skema të diskutueshme biznesi në procedurën për ndërtimin e autostradave. Theksohet se biznese prej 22 milionë eurosh po i marrin kompanitë të cilat më parë ishin të ndaluara për shkak të sjelljeve joetike dhe të paligjshme.
“Do të paraqesim informacione për kompaninë që do të mbikëqyrë ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10 D dhe si kanë ndryshuar kushtet në thirrjen për tender, por edhe çfarë e lidh atë me persona dhe kompani që më parë kanë fituar të njëjtin tender dhe kanë qenë të lidhur me kapitalin rus”, theksoi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
BOJAN STOJANOSKI, VMRO-DPMNE
“A janë njerëzit e afërt me Qeverinë pas gjithë skemës për marrjen e tenderit prej 22 milionë eurosh? Kjo pyetje rezonon, sidomos nëse merret parasysh fakti se konsorciumi i udhëhequr nga EPTISA fitoi tenderin, pasi më parë Konsorciumi i udhëhequr nga IGH, ku përfshihej kompania e një farë Sotir Ampov nga Velesi, nuk kishte dhënë garanci bankare”
Por, VMRO-ja pretendon se përmes kompanive të personave të lidhur, që janë pjesë e dy konsorciumeve, gjurmët të çojnë në majat e politikës.
VMRO-ja premton se nuk do të lejojë që një projekt për ndërtimin e dy korridoreve rrugore, për të cilin do të shpenzohen mbi 1 miliard euro, të kalojë nën dyshimin e kriminalitetit. Partia njoftoi se do të vazhdojë të publikojë detaje të reja për këtë skemë të dyshimtë. /SHENJA/