(VIDEO) Zjarri në spitalin modular, energjia elektrike nuk ka qenë e instaluar si duhet

Eksperti Irfan Shaqiri, i cili ka punuar ekspertizën për instalimin e energjisë elektrike në spitalin modular të Tetovës, dëshmoi në gjykatë se ajo është instaluar nga punonjësit e spitalit, pa mbikëqyrje nga profesionistë. Sipas tij dhe ekspertizës së tij, procedura e montimit nuk është realizuar sipas rregulloreve ligjore për këtë lloj ndërtimi. Eksperti ishte i vendosur se instalimi është kryer në mungesë të një numri të madh dokumentesh.

IRFAN SHAQIRI, EKSPERT

“Lidhja e objektit me rrjetin elektrik është pa një raport, gjë që është e nevojshme. Instalimi është bërë pa inxhinierë të autorizuar elektrikë, të cilët janë të autorizuar nga Oda e Inxhinierëve Elektrikë”.

Ekseprti shtoi se spitali modular, i cili u dogj, u ndërtua nga kompania “Brako”, e cila kishte për detyrë të vetme ndërtimin dhe instalimin e objektit.

IRFAN SHAQIRI, EKSPERT

“Nga ana e tyre nuk ka asnjë raport për instalimin elektrik”.

Zjarri në spitalin modular në Tetovë ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, ku 14 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.  Të akuzuar janë drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe mjeku Boban Vuçeski, por edhe Spitali Klinik në Tetovë, si person juridik.

Ndërkaq sikurse në proceset e kaluara edhe sot para gjykatës ka qenë një grup qytetarësh që protestojnë në mbrojtje të mjekut Boban Vuçevski.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING