Ukraina ka mbështetjen e Maqedonisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe pavarësisë së saj
Ministrja e Mbrojtjes së RMV-së, Sllavjanka Petrovska gjatë qëndrimit në Ukrainë takoi kolegun e saj Oleksei Reznikov, të cilët shprehën nevojën për kthimin e paqes dhe ndalimin e agresionit rus.
“Ju shpreh respektin dhe mbështetjen time për ju, popullin ukrainas, për guximin, këmbënguljen dhe vendosmërinë tuaj për të mbrojtur territorin tuaj. Ky akt agresioni brutal dhe terrori ndaj popullatës civile, fëmijëve, grave, të moshuarve është i paimagjinueshëm për asnjë qytetërim të shekullit të 21-të. Prandaj, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që në fillim e dënoi agresionin rus kundër Ukrainës, i cili është i pajustifikuar dhe i pa provokuar nga asgjë. Pa hezitim qëndruam në anën e drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, në anën e së vërtetës”, tha ministrja Sllavjanka Petrovska në konferencën e sotme për shtyp me kolegun ukrainas, Oleksei Reznikov në Kiev.
Petrovska i dërgoi një mesazh udhëheqësve ukrainas dhe popullit ukrainas se Maqedonia e Veriut dënon fuqishëm agresionin rus kundër Ukrainës dhe ka dhënë mbështetje të plotë për sovranitetin e saj dhe të drejtën për vetëmbrojtje.
“Ne ishim të qartë dhe të zhurmshëm që në fillim të agresionit, pothuajse saktësisht një vit më parë kur i thamë jo gjakderdhjes, jo shkatërrimit në shekullin e 21-të. Paqja duhet të rivendoset menjëherë”, tha Petrovska.
Ministrja iu referua ndihmave humanitare dhe ushtarake të ofruara për Ukrainën deri më tani, të cilat ne i ofrojmë sepse besojmë fort në të drejtën e çdo vendi për vetëmbrojtje dhe respektimin e rregullave dhe parimeve mbi të cilat bazohet komuniteti ndërkombëtar.