Kina do të propozojë një plan paqeje për Ukrainën
Kina ka njoftuar se do të paraqesë një nismë paqeje për t’i dhënë fund luftës njëvjeçare në Ukrainë, bazuar në dialogun midis palëve në konflikt dhe respektimin e integritetit territorial.
“Kina nuk do të qëndrojë duarkryq dhe nuk do t’i shtojë benzinë zjarrit”, ka thënë ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për paqe dhe dialog”, ka thënë ai dhe njoftoi se Pekini do të paraqesë një propozim për zgjidhje politike të krizës ukrainase bazuar në parimet e Kartës së OKB-së.
“Ne duhet t’i japim një shans paqes”, ka thënë kreu i diplomacisë kineze. “Unë sugjeroj që të gjithë të fillojnë të mendojnë me qetësi, veçanërisht miqtë në Evropë, se çfarë mund të bëjmë për ta ndalur këtë luftë”, ka theksuar ai.
Deri më tani, Kina nuk e ka dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por ka etiketuar SHBA-në dhe NATO-n si fajtorët e luftës që filloi me pushtimin rus më 24 shkurt 2022.