Fitore drithëruese në “Villa Park”, Arsenali rikthehet i vetëm në krye

Fitore drithëruese në “Villa Park”, Arsenali rikthehet i vetëm në krye

Arsenali rikthehet te fitorja në Premier League pas tri javësh, dhe këtë e bën pas triumfit spektakolar 2-4 ndaj Aston Villa-s. Dueli i luajtur në “Villa Park”, prodhoi emocione, traversa, autogol dhe përmbysje.

Ollie Watkins kaloi vendasit në avantazh në minutën e pestë. Arsenali barazoi me Bukayo Saka (16’), por Philippe Coutinho riktheu skuadrën e Unai Emery në avantazh pas një aksioni shumë të bukur (31’).

Ky ishte goli i parë sezonal në kampionatin anglez për lojtarin brazilian. Pjesa e dytë ishte edhe më e bukur. Eddie Nketiah u ndal nga traversa (56’), ndërkohë që Oleksandr Zinchenko realizoi një gol shumë të bukur pesë minuta më vonë.

Martin Odegaard humbi një shans të artë në minutën e 78’. Kapiteni i Arsenali nuk ia doli të shënonte me portën bosh. Ndërkohë, Leon Bailey tronditi traversën e Arsenalit pesë minuta më pas.

Minutat shtesë ishin plot emocione. Jorginho goditi traversën në minutën e 90+3’, topi u përplas tek Emiliano Martinez dhe përfundoi në rrjetë. Festë e madhe tek Arsenali, që gjeti edhe golin e katërt me anë të Gabriel Martinellit.

54 pikë numëron skuadra e Mikel Artetës pas javës së 23-të, tri më shumë se kampionët në fuqi të Manchester City. Më pas vjen Manchester United me 46 pikë.

MARKETING