Bayern Munich “shkund” Parisin, Milan triumf me vlera ndaj Tottenham
PSG bie në shtëpi përballë Bayern Munich teksa në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-tave në Champions League, u mposhtën me shifrat 0-1. Me Kylian Mbappe në stol për shkak të problemeve fizike, vëmendja kryesore ishte tek Neymar dhe Messi.
Por, dyshja nuk ia doli përballë bavarezëve të cilët përfituan nga një gol i Kingsley Coman në pjesën e dytë. Në fund, bavarezët mbeten me 10 vetë pasi Pavard koleksionoi kartonin e dytë të verdhë megjithatë rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Tashmë, të besuarit e trajnerit Julian Nagelsmann mund të nisen më të qetë në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet në Allianz Arena më datë tetë mars.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Milan mori një fitore tejet të rëndësishme ndaj Tottenham në shtëpi me rezultatin 1-0. Kuqezinjtë ia dolën falë një goli në minutën e shtatë të pjesës së parë nga ana e Brahim Diaz.
Një gol që në fakt mbeti i vlefshëm për të gjithë pjesën e mbetur të sfidës përtej përpjekjeve të anglezëve për të barazuar apo vendasve për të dyfishuar. Gjithsesi, në sfidën e ardhshme që do të luhet më datë tetë mars në Londër, të besuarit e trajnerit Stefano Pioli nisen të avantazhuar.