(VIDEO) Gjorgiev: Ka tendenca të qëllimshme për të prishur marrëdhëniet ndërmjet Shkupit dhe Sofjes
Ngjarjet e fundit në marrëdhëniet maqedonase – bullgare ndikojnë edhe në punën e Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore, vlerëson bashkëkryetari i këtij komisioni, Dragi Gjorgiev në një deklaratë për “Zërin e Amerikës”. Ai thotë se vërehet tendencë që marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes në periudha të caktuara në mënyrë ciklike të sulmohen me qëllim që të dëmtohet ndonjë vazhdimësi e shkurtë e periudhës së qetë.
DRAGI GJORGIEV KRYETAR I KOMISIONIT TË PËRBASHKËT PËR ÇËSHTJE HISTORIKE DHE ARSIMORE
“Dukshëm, dikujt i duhet ky acarim dhe kur ato marrëdhënie paqësore dhe të mira zgjasin për një periudhë të caktuar dhe puna shkon në drejtimin e duhur, ndodhin incidente, të cilat padyshim duke marrë parasysh historinë e incidenteve të mëparshme, bëhen qëllimshëm me një skenar të parapërgatitur. Mendoj se situata do të qetësohet, por përsëri ka forca, që nuk do të më befasojnë pas dy muajsh, të ndodh e njëjta gjë”.
Gjorgiev tha se nuk mund të mbetemi imun ndaj asaj që po ndodh në shoqëri dhe të gjitha ato shqetësime politike, tensione e keqkuptime ndikojnë në punën e Komisionit.
DRAGI GJORGIEV KRYETAR I KOMISIONIT TË PËRBASHKËT PËR ÇËSHTJE HISTORIKE DHE ARSIMORE
“Pothuajse rregullisht në të gjitha ato zënka dhe deklarata politike që bëhen, përmendet Komisioni, përmendet historia, përmenden temat në të cilat punon vetë Komisioni dhe e gjithë kjo ndikon në vetë atomosferën në komision”.
Për atë se a mundet të arrihet zgjidhje për Goce Dellçevin, ai thotë se kjo temë gati se nuk diskutohet seriozisht gjatë vitit të fundit. Vlerëson se në kushtet aktuale të marrëdhënieve të ftohura, me tensione shumë të larta, është shumë vështirë që Komisioni të punojë i qetë për Goce Dellçevin. Samir Mustafa /SHENJA/