Embargoja e BE-së ndaj produkteve të rafinuara ruse hyn në fuqi më 5 shkurt
Embargoja e Bashkimit Evropian (BE) ndaj produkteve të rafinuara ruse do të hyjë në fuqi më 5 shkurt, të dielën, me përfundimin e periudhës 8-mujore të tranzicionit, transmeton Anadolu.
Në muajin qershor të vitit të kaluar, BE-ja lëshoi paketën e saj të gjashtë të sanksioneve, duke përfshirë një ndalim të plotë të importit të naftës së papërpunuar ruse dhe të produkteve të naftës së saj.
Sanksionet e fundit ndalojnë anijet që u përkasin vendeve të BE-së dhe G7-tës të transportojnë produkte të rafinuara ruse.
Sanksionet e BE-së po ashtu përfshijnë një ndalim për sigurimin e shërbimeve të tjera për anijet që transportojnë naftë ruse. Shumica e këtyre kompanive të sigurimit janë me bazë në BE ose Mbretëri të Bashkuar.
Kompanive perëndimore gjithashtu do t’u ndalohet të ofrojnë shërbime të ndryshme, si sigurim, financim dhe ndërmjetësim, për anijet që transportojnë produktet e rafinuara ruse.
Kufizimet në eksportin e produkteve të naftës ruse në vendet e treta
Negociatat akoma janë në vazhdim me vendet anëtare të BE-së dhe G7-tës për të diskutuar kufizimet mbi eksportet ruse të produkteve të naftës së rafinuar në vendet e treta.
Palët po punojnë për vendosjen e dy kufijve të ndryshëm të çmimeve, me Komisionin Evropian që i propozon BE-së të vendosë një kufi të çmimit prej 100 dollarësh për fuçi për produktet premium të naftës ruse, të tilla si dizeli, si dhe një kufi të çmimit prej 45 dollarësh për produktet me zbritje, të tilla si lëndët djegëse.
Ndalimi i transportit të naftës së papërpunuar ruse përmes rrugëve detare
Ndalimi i BE-së për importet e naftës së papërpunuar ruse përmes rrugëve detare dhe financimi i transportit të naftës ruse në vendet e treta, veçanërisht përmes rrugëve detare, hyri në fuqi më 5 dhjetor.
Vendet e BE-së, si dhe vendet e industrializuara të G7-tës dhe Australia ranë dakord për një kufi të çmimit për naftën ruse në 60 dollarë për fuçi, masë që hyri në fuqi në të njëjtën ditë.
Në përgjigje të kufirit të çmimit, presidenti rus, Vladimir Putin, më 27 dhjetor nënshkroi një dekret që ndalon furnizimin me naftë të papërpunuar dhe produkte të naftës për vendet që kanë vendosur çmim tavan.