Chelsea zyrtarizon transferimin e supertalentit ukrainas
Chelsea e ka zyrtarizuar të dielën transferimin e supertalentit ukrainas, Mykhailo Mudryk. 22-vjeçari është transferuar nga Shakhtar Donetsku, pasi ka arritur marrëveshje personale me klubin e madh londinez. Mudryk ka firmosur për tetë vjet e gjysmë me Chelsean.
“Jam shumë i lumtur që nënshkrova me Chelsean”, ka thënë Mudryk pasi kompletoi lëvizjen e madhe në karrierë. Reprezentuesi i Ukrainës i ka kushtuar Chelseat 100 milionë euro. “Është klub i madh, ligë fantastike dhe projekt shumë atraktiv për këtë fazë të karrierës sime. Mezi pres të takoj bashkëlojtarët dhe të punoj e të mësoj nga Graham Potter dhe stafi i tij”, ka shtuar Mudryk.
Chelsea e ka vlerësuar lartë Mudrykun. Ka shkruar se është prej sulmuesve më të rrezikshëm në Evropë në lojën një kundër një. Ai ka luajtur në të dy krahët te Shakhtari.
“Jemi të lumtur të presim Mykhailon te Chelsea. Ai është talent i madh që besojmë se do të jetë përforcim i madh për skuadrën tonë për këtë edicion dhe për vitet e ardhshme. Ai do të shtojë thellësi në sulmin tonë dhe e dimë se do të ketë pritje të ngrohtë në Londër”, ka thënë Todd Boehly, kryetar i Chelseat. Mudryk i ishte bashkuar akademisë së Shakhtarit në vitin 2016. Ai kishte luajtur huazim te Arsenal Kievi dhe te Densna Cernigiv, skuadrat tjera ukrainase. Deri më tani ka luajtur tetë ndeshje për Ukrainën.