“Bota në tranzicion drejt rendit të ri ekonomik mes krizave të shumta”
Fjala e duhur për të përshkruar periudhën aktuale të krizave të shumta konvergjente që rrethojnë ekonominë globale është “tranzicioni”, tha në një intervistë për Anadolu Agency (AA), drejtori menaxhues i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Mirek Dusek.
Deklarata e Dusek vjen përpara Takimit Vjetor të WEF 2023, i cili do të mbahet nga 16-20 janar në Davos të Zvicrës me temën “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”.
“Takimi vjetor i WEF 2023 në Davos do të mbahet në kontekstin e një perspektive ekonomike sfiduese, kurse programi do të pasqyrojë këtë realitet duke u fokusuar në imperativët e dyfishtë të marrjes së vendimeve të duhura për ekonomitë, kompanitë dhe komunitetet për të kaluar këto kohë komplekse si dhe duke ruajtur njëkohësisht aftësinë për të bërë investime të mëdha në të ardhmen”, tha ai.
Ekonomia globale ka qenë nën presion për shkak të krizave të shumta që përfshijnë ushqimin, sigurinë e furnizimit me energji, koston e jetesës, inflacionin e lartë dhe klimën.
Mungesa e furnizimit në tregjet e energjisë ka arritur nivele rekord prej më shumë se një viti në aspektin global, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka thelluar problemet në balancën e ofertës dhe kërkesës, duke çuar në rritje të mëtejshme të çmimeve në tregjet e energjisë, veçanërisht të gazit natyror.
Çmimet e gazit natyror në bursën holandeze (TTF) janë rritur në 342 euro (364 dollarë) për megavat-orë që nga 26 gusht 2022, një rritje dramatike nga niveli prej 30 euro/megavat-orë sa ishte një vit më parë.
Pas rritjeve të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, çmimet shënuan rënie në 69 euro për megavat-orë që nga 6 janari falë një dimri më të butë dhe niveleve të larta të depozitimit në Evropë.
Rritjet e çmimeve në tregjet e ushqimit dhe energjisë janë nxitësit kryesorë të inflacionit të lartë prej dekadash në mbarë botën.
Sipas Dusek, krizat e shumta konvergjente me shkaqe të ndërlidhura po prekin miliona njerëz në mbarë botën, veçanërisht ata që jetojnë në rajonet më të cenueshme.
“Ashtu siç janë të ndërlidhura shkaqet e këtyre krizave, po ashtu janë edhe zgjidhjet e tyre dhe ne duhet të bashkohemi në identifikimin dhe të veprimin që jo vetëm do të zbusin rrezikun e avancimit të krizave të tilla, por çfarë është e rëndësishme, do të na mundësojnë të artikulojmë dhe zbatojmë një agjendë të re rritjeje, vendesh pune dhe sigurie për të ardhmen”, tha ai.
– Fokusimi në tranzicioin e qëndrueshëm për zgjidhjen e krizave
Dusek tha se përshpejtimi i tranzicionit drejt energjisë së pastër, përfshirja e inovacioneve teknologjike të përparimit dhe futja e mekanizmave diplomatikë efektivë për një botë më konkurruese janë ndër fushat e veprimit që mund të ndihmojnë botën të dalë nga kjo periudhë pasigurie me rritjen e aftësive ripërtëritëse.
Ai e përshkroi situatën aktuale si një “tranzicion”. “Veprimi i bankave qendrore në të njëjtën kohë me elasticitetin e tregjeve të punës dhe ribalancimin e zinxhirëve të furnizimit do të jetë ndër faktorët që do të përcaktojnë se në çfarë lloj të rendit ekonomik do të rezultojë ky tranzicion”, tha Dusek, njëkohësisht duke bërë thirrje për politika efektive të qeverisë që të identifikojnë kushtet aktuale si një mundësi për të zbatuar “reformën e politikave shumë të nevojshme”.
“Para së gjithash, politika duhet të mbështesë tranzicionin drejt burimeve më të qëndrueshme të energjisë me synimin e shkëputjes së rritjes ekonomike nga konsumi i energjisë, si dhe reduktimin e emetimeve të karbonit për të adresuar ndryshimet klimatike. Në këtë drejtim, shqetësimi i thellë i kohëve të fundit rreth pasigurisë energjetike që rrjedh nga tronditjet ekonomike dhe gjeopolitike duhet të sigurojë vrull për të përshpejtuar lëvizjen drejt një modeli më të qëndrueshëm të energjisë”, tha Dusek.
Krizat janë globale për ka ndikimi i tyre në një mënyrë të paprecedentë, kurse politikat duhet gjithashtu të ndiqen në një mënyrë sa më bashkëpunuese midis qeverive në mbarë botën, sipas Dusek.
“Tashmë kemi parë se si bankat qendrore në mbarë botën po punojnë së bashku për të luftuar inflacionin, po ashtu edhe politikat më të gjera të qeverive për adresimin e çështjeve globale sistemike duhet gjithashtu të maksimizojë mundësitë për veprim të koordinuar”, theksoi ai.
Bankat qendrore kanë miratuar një politikë të rritjes së normave në përpjekje për të zbutur inflacionin në rritje.
Dusek shtoi se mes këtyre krizave, misioni i WEF për nxitjen e bashkëpunimit publik-privat nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm apo urgjent, si për tejkalimin e krizave aktuale, ashtu edhe për nxitjen e ndryshimeve të prekshme, pozitive për sistemin që çojnë përpara.
“Të bashkosh një gamë të gjerë palësh të interesuara është çelësi për të krijuar mirëkuptim dhe përafrim, për të shkallëzuar inovacionin dhe për të gjetur zgjidhje proaktive për çështjet tona të përbashkëta përmes veprimeve të prekshme”, shtoi ai.