BE-ja ofron 500 milionë euro ndihmë për Pakistanin
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, njoftoi se do të kryejnë një ndihmë prej 500 milionë eurosh për Pakistanin në të cilin vitin e kaluar u përjetua katastrofë e përmbytjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një video-mesazh të dërguar në konferencën ndërkombëtare me temë “Pakistani Rezistent ndaj Klimës” i cili mbahet në qytetin Gjenevë të Zvicrës nën organizimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Pakistanit, Von der Leyen, rikujtoi se në Pakistan u përjetua një prej katastrofave më të mëdha natyrore në botë.
“Populli i Pakistanit ka nevojë për ndihmë” theksoi Von der Leyen, e cila njoftoi se do të ofrojnë një mbështetje prej 500 milionë eurosh për ndihmat humanitare dhe rindërtimin e Pakistanit.
Von der Leyen, ndër të tjera tha se BE-ja dhe Pakistani pak kohë më parë ranë dakord për një paketë prej 87 milion eurosh në kuadrin e projekteve të bashkëpunimit ekonomik dhe se ndihmat humanitare të BE-së arritën në 172 milionë euro.
Rreth 1.740 persona humbën jetën dhe mbi 12 mijë të tjerë u plagosën si pasojë e katastrofës së përmbytjes që u shënua në verën 2022 në Pakistan.
Dëmet nga përmbytjet që prekën më shumë se 33 milionë njerëz në të gjithë vendin, kanë tejkaluar 30 miliardë dollarë. Ndërkohë theksohet se vendi në afat të gjatë ka nevojë për 16 miliardë dollarë për rindërtimin dhe rimëkëmbje.