SHBA kritikon vizitën e ministrit izraelit në kompleksin Al-Aksa

SHBA kritikon vizitën e ministrit izraelit në kompleksin Al-Aksa

SHBA kritikoi vizitën e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i ekstremit të djathtë hyri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa më herët gjatë ditës, një ditë pasi njoftoi se po e shtynte vizitën për shkak të paralajmërimeve për trazira.

Ambasada e SHBA-së në Izrael tha se ambasadori Thomas Nides “e ka bërë shumë të qartë në diskutimet me qeverinë izraelite se status quo-ja duhet të ruhet në vendet e shenjta të Kudsit. Veprimet që e parandalojnë këtë, janë të papranueshme.”

Vizita e ministrit Ben-Gvir u dënua gjerësisht nga palestinezët si një “provokim i paprecedentë”.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, e quajnë këtë zonë si Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Ben-Gvir ka pikëpamje të ekstremit të djathtë për palestinezët dhe ka bërë thirrje për zhvendosjen e tyre. Ai u është bashkangjitur vazhdimisht kolonëve izraelitë në sulmin ndaj kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.

Politikani i ekstremit të djathtë gjithashtu shkaktoi valën e tensioneve në qytetin e pushtuar pasi hapi një zyrë në lagjen Sheikh Jarrah.

Nëntorin e kaluar, në një audio të publikuar përmes rrjedhës së informatave, presidenti izraelit Isaac Herzog paralajmëroi se “e gjithë bota është e shqetësuar” për pikëpamjet ekstremiste të politikanit Ben-Gvir.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

MARKETING