Sylvinho merr drejtimin e Shqipërisë

Sylvinho merr drejtimin e Shqipërisë

Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll është bërë me seleksionues të ri. Braziliani Sylvio Mendes Campos Junior, i njohur si Sylvinho, ka marrë drejtimin e përfaqësueses.

Ai e ka zëvendësuar në postin e seleksionuesit italianin Edoardo Reja. Reja kishte qëndruar për tri vjet e gjysmë.

Federata Shqiptare e Futbollit në faqen e saj zyrtare ka njoftuar për marrëveshjen e arritur me Sylvinhon. Braziliani ka firmosur kontratë për 18 muaj. Do ta drejtojë Shqipërinë në eliminatoret për Euro 2024.
Silvinho në stafin e tij ka sjellë ndihmësin argjentinas Pablo Javier Zabaleta Girodin dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.

Sylvinho 48-vjeçar si trajner ka drejtuar Lyonin dhe Corinthiansin.

Si lojtar kishte qenë pjesë e skuadrave si Arsenali, Barcelona, Celta Vigo e Manchester City.
Te Barcelona luajti nga viti 2004 deri në vitin 2009, duke fituar tri herë La Ligan e dy herë Ligën e Kampionëve.

“Marrëveshja mes FSHF dhe stafit të ri drejtuar nga Silvinjo parashikon një kohëzgjatje 18-mujore deri në përfundim të Euro 2024 dhe aspekti financiar do të bazohet në rezultatet dhe arritjen e objektivave. Marrëveshja ka në thelb të saj arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme”, thuhet nga FSHF-ja.

Sylvinho dhe stafi i tij do të arrijnë në Tiranë më 9 janar, kur edhe do të firmosin kontratën e do të prezantohen zyrtarisht.

MARKETING