8 ditë paraburgim për prindin që sulmoi lojtarët e rinj

Një prind 43-vjeçar nga Shkupi është dënuar me 8 ditë paraburgim, pasi dje gjatë një ndeshjeje futbolli për gjeneratën 2009-2010 ndërmjet klubeve “Shkupi” dhe “Bregallnica”, të zhvilluar në stadiumin “Belo Brdo” në Shtip, sulmoi fizikisht dy futbollistë të mitur.
Gjykatësi i procedurës paraprake dhe njëherësh zëdhënës i Gjykatës Themelore në Shtip, Sashko Georgiev, konfirmoi për MIA se ndaj A.A. nga Shkupi është shqiptuar masa e paraburgimit prej 8 ditësh, pas së cilës me procedurë të shkurtuar do të pasojë gjykimi. I dyshuari do të dërgohet në burgun e Kumanovës.
Më herët, opinioni ishte informuar se Prokuroria Themelore Publike – Shtip ka hapur procedurë të menjëhershme ndaj një personi për veprën penale “Dhuna”, sipas nenit 386 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 3 dhe 1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, më 24 gusht në stadiumin “Belo Brdo” në Shtip, gjatë një ndeshjeje të ekipeve të reja të “Bregallnicës” dhe “Shkupit”, i dyshuari ushtroi dhunë të rëndë ndaj dy fëmijëve të lindur në vitin 2010, lojtarë të ekipit të “Bregallnicës”, duke u shkaktuar lëndime trupore. Përveç kësaj, tek viktimat, publiku i pranishëm dhe në opinion u shkaktua ndjenjë pasigurie dhe frike.
Ngjarja ndodhi në minutën e 89-të të ndeshjes, kur gjyqtari për shkak të një faulli i dha të birit të të dyshuarit kartonin e dytë të verdhë, duke e përjashtuar nga loja. I pakënaqur nga vendimi, fillimisht djali reagoi në mënyrë josportive, duke tentuar të sulmonte me grushta dhe me këmbë një lojtar të “Bregallnicës”. Në atë moment në fushë hyri edhe babai, i cili filloi të godiste me grushta dhe shqelma dy futbollistët e mitur, duke u shkaktuar lëndime trupore – disa hematoma dhe thyerje të hundës pa zhvendosje.
Në fushë ndërhynë edhe persona të tjerë nga tribuna, të cilët penguan përshkallëzimin e mëtejshëm të incidentit.
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) gjatë ditës pritet të shpallë vendimin për masat disiplinore që do të ndërmerren për këtë ngjarje të rëndë në Shtip.