19 gazetarë palestinezë mbahen në burgjet izraelite

19 gazetarë palestinezë mbahen në burgjet izraelite

Sipas një organizate jofitimprurëse për të drejtat e gazetarëve, Izraeli po mban në burgje 19 gazetarë dhe punonjës mediatikë palestinezë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komiteti i Mbështetjes së Gazetarëve (JSC) me bazë në Bejrut njoftoi se numri i gazetarëve të mbajtur në burgjet izraelite sot është rritur në 19 pas arrestimit të gazetarit Abdul Mohsen Shalalda nga shtëpia e tij në Hebron të Bregut Perëndimor.

Sipas njoftimit të JSC-së, nëntë nga të arrestuarit tashmë janë dënuar, gjashtë ende janë nën politikën e ndalimit administrativ të Izraelit, ndërsa tre të tjerë janë në pritje të vendimeve të tyre.

“Gazetarët palestinezë i nënshtrohen arrestimit dhe shënjestrimit, veçanërisht gjatë mbulimit të inkursioneve të pushtuesve në qytete e fshatra”, tha JSC-ja.

Organizata jofitimprurëse u bëri thirrje organizatave të interesuara të të drejtave të njeriut për nevojën për të “ndërmarrë veprime për të ndaluar krimet e kryera kundër profesionistëve të medias palestineze dhe për të ndërhyrë në mënyrë efektive për të liruar 19 gazetarët e mbajtur në burgjet e pushtuesve”.

Sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, të paktën 4.700 palestinezë po mbahen në burgjet izraelite, përfshirë 150 të mitur dhe 29 gra.