12 ndeshje i pezulluar dhe jashtë listës së FIFA-s, gjyqtari i ndeshjes Izrael-Kosovë merr vëmendjen
Radu Petrescu është gjyqtari që UEFA ka përzgjedhur për të drejtuar ndeshjen ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, e cila zhvillohet të enjten nga ora 20:45 në “Nagyerdei Stadium” të Debrecenit.
Gjyqtar rumun nuk është emër i panjohur në futbollin evropian. Petrescu është gjyqtar ndërkombëtar që nga viti 2012 dhe gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe ndeshje në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, delegimi i tij për një ndeshje të Ligës së Kombeve vjen në një periudhë jo fort të zakonshme për 43-vjeçarin.
Në shtator, Komisioni Qendror i Gjyqtarëve të Rumanisë propozoi që Petrescu të mos jetë pjesë e listës së gjyqtarëve të FIFA-s për vitin 2027. Në vendin e tij është propozuar Catalin Roman, ndërsa lista përfundimtare pritet të miratohet nga FIFA në dhjetor dhe të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Vendimi erdhi pas një periudhe ku Petrescu pati disa telashe në futbollin rumun. Në korrik, ai nuk i përfundoi testet fizike para fillimit të sezonit të ri në Superligë, së bashku me Andrei Chivuleten.
Por një nga episodet që ka lënë më shumë gjurmë lidhet me ndeshjen Petrolul – FC Arges, e zhvilluar sezonin e kaluar.
Në atë takim, me rezultatin 1-1, Petrescu ndërpreu një aksion të FC Argeș përpara se skuadra nga Pitesti të shënonte, duke akorduar një faull në sulm. Pamjet treguan se nuk kishte një faull të qartë dhe, meqë gjyqtari kishte vërshëllyer para se topi të përfundonte në rrjetë, ndërhyrja e VAR-it nuk ishte më e mundur. Petrolul më pas e fitoi ndeshjen 2-1.
Për këtë episod, Petrescu u pezullua nga Komisioni Qendror i Gjyqtarëve për 12 ndeshje, megjithëse rikthimi i tij në delegime ndodhi pas 10 ndeshjesh.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, UEFA vazhdon ta përdorë Petrescun në ndeshjet ndërkombëtare. Vetëm në gusht, ai ishte caktuar nga UEFA për të drejtuar ndeshjen Motherwell – Freiburg në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës.
Në ekipin e tij të gjyqtarëve do të jenë bashkëkombësit Radu Ghinguleac dhe Cosmin Bojan si asistentë, Florin Andrei si gjyqtar i katërt, ndërsa Catalin Popa dhe Ovidiu Hategan do të jenë pjesë e ekipit VAR.

