11 vite nga “Lagja e Trimave”: Premtimet për hetim ndërkombëtar mbeten pa epilog
Gati 11 vjet pas ngjarjeve të armatosura në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, rasti vazhdon të mbetet një nga episodet më të debatueshme dhe më të paqarta në opinionin publik në Maqedonia e Veriut. Pavarësisht proceseve gjyqësore dhe dënimeve të rënda të shqiptuara ndaj të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës”, kërkesat për zbardhje të plotë të ngjarjes nuk janë ndalur asnjëherë.
Ndër vite, figura politike nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria kanë kërkuar vazhdimisht hetim ndërkombëtar, duke argumentuar se vetëm një proces i pavarur mund të largojë dyshimet dhe dilemat që vazhdojnë të shoqërojnë rastin. Megjithatë, deri më sot, një hetim i tillë nuk është realizuar.
Në vitin 2018, pak muaj pasi mori detyrën e kryeministrit, Zoran Zaev pati deklaruar se institucionet do të shqyrtonin mundësinë për hetim ndërkombëtar. Sipas tij, qëllimi ishte të sqarohej çdo paqartësi që lidhej me vendimet gjyqësore dhe interesin publik rreth rastit.
Për nevojën e një hetimi të thellë ishte shprehur edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili kishte theksuar se përmasat dhe ndjeshmëria e rastit kërkojnë angazhimin e hetuesisë ndërkombëtare për të zbardhur motivet dhe prapavijën e ngjarjes.
Edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, kishte deklaruar se Qeveria kishte marrë obligim për të zhvilluar një hetim plotësues ndërkombëtar, me synimin që opinioni publik të mësojë të vërtetën e plotë mbi atë që ndodhi në majin e vitit 2015.
Kërkesa të ngjashme kanë ardhur edhe nga Kosova. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeministri aktual Albin Kurti kanë mbështetur përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në hetime, ndërsa partitë politike shqiptare në rajon kanë përsëritur vazhdimisht nevojën për transparencë dhe rihapje të rastit.
Ndërkohë, familjarët e të dënuarve kanë organizuar disa protesta në qytete të ndryshme, duke kërkuar rihapjen dhe ndërkombëtarizimin e hetimeve. Një nga protestat u mbajt edhe pranë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosova dhe Shqipëria, me thirrjen për drejtësi dhe zbardhje të plotë të rastit.
Për rastin “Lagja e Trimave”, gjykata dënoi 33 persona me gjithsej 746 vite burg, ndërsa shtatë prej tyre morën dënim me burgim të përjetshëm. Nga përleshjet e 9 dhe 10 majit 2015 mbetën të vrarë 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe tetë policë, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në historinë e fundit të vendit.

