Zyrtare: Liverpool kompleton transferimin e Alexander Isak për rekord britanik

Zyrtare: Liverpool kompleton transferimin e Alexander Isak për rekord britanik

Liverpool ka finalizuar marrëveshjen për transferimin e sulmuesit suedez Alexander Isak nga Newcastle United.

25-vjeçari i bashkohet kampionëve të Ligës Premier si numri i tyre i ri 9, me një kontratë afatgjatë, pas përfundimit me sukses të vizitave mjekësore. Shifra e transferimit thuhet të jetë 150 milionë euro, rekord britanik.

Isak u prezantua menjëherë në Qendrën e Trajnimit AXA dhe foli për faqen zyrtare të klubit: “Ndihem mrekullisht. Ka qenë një udhëtim i gjatë për të arritur deri këtu, por jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, e këtij klubi dhe gjithçkaje që ai përfaqëson. Jam krenar dhe mezi pres të filloj të punoj me shokët e mi të ekipit dhe të takohem me tifozët”.

Sulmuesi suedez ka lënë gjurmë të rëndësishme te Newcastle gjatë tre sezoneve të fundit. Ai mbërriti nga Real Sociedad në verën e vitit 2022 dhe shënoi 62 gola në 109 paraqitje për klubin e St. James’ Park, duke përfshirë 54 gola në 86 ndeshje të Ligës Premier , me 23 prej tyre sezonin e kaluar, ku përfundoi i dyti pas Mohamed Salah në garën për “Këpucën e Artë”.

“Mendoj se kam shumë për të dhënë dhe shumë për t’u përmirësuar. Jam sulmues, por gjithmonë përpiqem t’i jap maksimumin ekipit, jo vetëm në gola, por edhe në aspekte të tjera të lojës. Dua të fitoj gjithçka me këtë klub”, deklaroi Isak.

Sulmuesi ka filluar karrierën e tij me AIK në Suedi, përpara se të transferohej te Borussia Dortmund në vitin 2017. Pas një huazimi te Willem II, ai iu bashkua Sociedad në verën e 2019 dhe kontribuoi si golashënues kryesor, duke ndihmuar klubin të fitojë Kupën e Mbretit në sezonin 2019-20.

Në nivel ndërkombëtar, Isak ka luajtur 52 ndeshje për Suedinë, duke shënuar 16 gola, dhe pritet të luajë një rol kyç te Liverpool në sezonin e ri. /Telegrafi/ 

 

MARKETING