Zyrtare: Endrick i bashkohet Lyonit në formë huazimi

Zyrtare: Endrick i bashkohet Lyonit në formë huazimi

Lyon ka kompletuar huazimin e sulmuesit Endrick nga Real Madrid. 19-vjeçari u transferua te klubi i Ligue 1 për pjesën e mbetur të sezonit, në një marrëveshje që nuk përmban opsion blerjeje.

Sipas marrëveshjes, skuadra franceze do të mbulojë pjesërisht pagën e Endrick, ndërsa Madrid do të marrë kompensim shtesë nëse sulmuesi nuk luan të paktën 25 ndeshje.

Shuma e kompensimit do të ndryshojë në varësi të ndeshjeve që Lyon do të zhvillojë në kupë dhe në Ligën e Evropës. Endrick do të mbajë fanellën me numrin 9 te Lyon.

Rregulloret franceze parashikojnë që një lojtar duhet të presë katër ditë nga regjistrimi i marrëveshjes përpara se të mund të luajë për klubin e ri, që do të thotë se Endrick nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e Lyon kundër Monacos më 3 janar, pasi marrëveshja nuk mund të regjistrohet zyrtarisht para 1 janarit.

Endrick është tërhequr nga oferta e Lyon pas vështirësive për të gjetur minutazh të rregullt në Madrid dhe beson se ky transferim mund të rrisë shanset e tij për t’u përfshirë në skuadrën e Brazilit për Kupën e Botës të vitit të ardhshëm.

Real Madrid kishte vonuar vendimin për të ardhmen e Endrick gjatë sezonit, në pritje të ndryshimeve, por u bë e qartë se ai nuk është pjesë e planeve të trajnerit Xabi Alonso.

Endrick ka luajtur vetëm tri herë këtë sezon, një herë si zëvendësues në La Liga, një herë si zëvendësues në Ligën e Kampionëve dhe një herë si titullar në fitore ndaj CF Talavera në rundin e 32-të të Kupës së Mbretit.

Gjatë sezonit 2024/2025, ai luajti më rregullisht nën drejtimin e Carlo Ancelotti, tani përzgjedhës i Brazilit, duke regjistruar 22 paraqitje në La Liga, por vetëm tri prej tyre si titullar.

Endrick iu bashkua Madridit si 17-vjeçar nga Palmeiras në dhjetor 2022 dhe nënshkroi zyrtarisht në korrik 2024.

Deri më tani, ai ka zhvilluar 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet për Madridin, duke shënuar shtatë gola dhe një asistim.

MARKETING