Zv/presidenti amerikan Vance: SHBA nuk do të ndërhyjë në konfliktin midis Indisë dhe Pakistanit

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi të enjten se SHBA-ja nuk do të ndërhyjë në konfliktin midis Indisë dhe Pakistanit, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Ne duam që kjo gjë të de-përshkallëzohet sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, ne nuk mund t’i kontrollojmë këto vende”, tha Vance për “Fox News”.
Vance theksoi se SHBA-ja nuk mund të detyrojë asnjërën palë të dorëzojë armët, ndërsa shtoi se ishin të shqetësuar për këtë tension dhe se do ta ndjekin çështjen përmes kanaleve diplomatike.
Ai tha se shpresojnë që tensionet midis dy vendeve “të mos përshkallëzohen në një luftë më të gjerë rajonale apo konflikt bërthamor”.
– Sulmi i Indisë ndaj Pakistanit
India nisi sulme me raketa në territorin pakistanez dhe rajonin Azad Kashmir të kontrolluar nga Pakistani më 6 maj në hakmarrje për sulmin terrorist në distriktin Pahalgam më 22 prill, në të cilin u vranë 26 persona.
Ushtria indiane tha se goditi 9 objektiva, të cilat i përshkroi si “struktura terroriste”. Qeveria e Islamabadit tha se në sulme u shënjestruan 6 vende civile, duke rezultuar me vdekjen e 31 personave dhe plagosjen e 57 personave të tjerë.
Nga ana tjetër ushtria pakistaneze njoftoi se ka rrëzuar 5 avionë luftarakë gjatë sulmit indian. Qeveria e New Delhit nuk e konfirmoi këtë.
Gjithashtu ushtria pakistaneze tha se më 8 maj u neutralizuan 25 dronë të armatosur indianë “Harop”.