Zv/ kryeministri Mexhiti: Nuk do të ketë ndërtime në Kalanë e Shkupit!

Zv/kryeministri Izet Mexhiti ka deklaruar se nuk do të ketë ndërtime në Kalanë e Shkupit. Sipas tij, përpjekja për ndërtimin e kishës në vitin 2011 u ndal nga aktivistët dhe që atëherë Kalaja u la pas dore.
Tani, thotë Mexhiti, ajo po pastrohet dhe po hapet për qytetarët e turistët, si një monument i trashëgimisë kulturore.
“Kalaja është dëshmi e politizimit dhe abuzimeve të së kaluarës, por nuk do të lejohet më të përdoret për qëllime politike apo ndarje.
Sot Kalaja është fytyra e turpit të atyre politikave dhe politikanëve që, për të mbajtur pushtetin janë të gatshëm të lejojnë çdo poshtrim. Gjendja në të cilën ndodhet ky monument sot është rikujtim se politikanët e të shkuarës e përdorën atë si trampolinë që disa njerëz të futen në politikë si klandestinë, jo si ofertë serioze.
Kalaja do të rikthehet në një hapësirë dinjitoze që pasqyron barazinë dhe identitetin multietnik të qytetit.
Rrini rahat, ndërtime politike në Kala nuk do të ketë!”, ka shkruar Mexhiti.