Zv.kryeministri Fetai ka shpërndarë Abetaren e unifikuar për nxënësit e Kumanovës dhe Likovës

Zv.kryeministri Fetai ka shpërndarë Abetaren e unifikuar për nxënësit e Kumanovës dhe Likovës

Pêr nxënësit e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe, por në përgjithësi, edhe për arsimin shqip, në rajonin e Kumanovës dhe Likovës sot ishte ditë historike. Abetarja e unifikuar për herë të parë sot u gjend edhe në duart e nxënësve të klasave të para të shkollave të atjeshme.

Këtë akt historik, në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, e mundësuan zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, si dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, prof. dr. Skender Asani, të cilët edhe morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së abetares së unifikuar Shqipe për nxënësit e shkollë fillore komunale “Bajram Shabani” në komunën e Kumanovës.

“Së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, sot ishim në shkollën “7 Marsi” në Opajë, Komuna e Likovës, dhe “Bajram Shabani” në Kumanovë, ku bëmë shpërndarjen e Abetares së unifikuar për nxënësit e klasave të para.

Shpërndarja e Abetares së unifikuar në shkollat tona është një arritje e rëndësishme e koalicionit VLEN në qeverisje. Unifikimi i Abetares shqipe paraqet një hap të rëndësishëm për të forcuar dhe kultivuar themelet e identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar”, ka shkruar Fetai.

Gjithashtu ky delegacion me ceremoni të njëjtë shpërndanë abetaren e unifikuar shqipe edhe në komunën e Likovës, respektivisht në shkollën fillore “7 Marsi” në fshatin Opajë të kësaj komune.

MARKETING