Zjarri po përhapet me shpejtësi drejt Bllacës dhe Çuçer-Sandevës, QMK kërkon ndërhyrje urgjente nga ajri

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka dërguar kërkesë për mbështetje ajrore tek Ministria e Punëve të Brendshme, pas marrjes së një raportimi në numrin e thirrjeve emergjente 112.
“Kryetari i Komunës Çuçer-Sandevë raportoi zjarr në numrin emergjent 112 mbi rrugën magjistrale Shkup – Bllacë, para tunelit në anën e djathtë. Zjarri ndodhet në terren të paarritshëm, për shkak të të cilit ekipet e Njësisë së Mbrojtjes nga Zjarri nuk kanë mundësi të ndërhyjnë nga toka.
Zjarri ka intensitet të lartë, ndërsa era e fortë e përhap dhe e shtyn drejt kodrës, ndërsa krahu tjetër i zjarrit po lëviz drejt fshatrave Bllacë dhe Çuçer.
QMK ka kërkuar mbështetje ajrore urgjente, ndërsa helikopteri është në fazë përgatitjeje teknike dhe pritet të ngrihet së shpejti”, thuhet në njoftimin e QMK-së. /SHENJA/