Ziberi: Pala maqedone kërkon përkrahje nga shqiptarët, por u cenon gjuhën dhe identitetin
Ish-avokati i popullit, Naser Ziberi, mbrëmjen e sotme në emisionin “Debat në SHENJA” kritikoi qëndrimet e palës maqedone në lidhje me bashkëpunimin me komunitetin shqiptar për mbrojtjen e vlerave gjuhësore dhe kombëtare.
Sipas Ziberit, ndërsa pala maqedone kërkon përkrahje nga komuniteti shqiptar, njëkohësisht i cenon vlerat, gjuhën dhe identitetin e vetë pjesëtarëve të këtij komuniteti.
“Kjo është çështje shumë serioze. Pata rastin të përcjell deklaratën e ish-presidentit të vendit, z. Pendarovski, i cili tërheq vërejtjen për këtë fenomen. Mund të jetë një pengesë për Maqedoninë, jo vetëm duke rrezikuar proceset eurointegruese, por edhe duke shkaktuar probleme të brendshme që janë të rrezikshme për sigurinë e vendit. Një komunitet që bën përpjekje për njohjen e gjuhës së tij, shëndrrohet në pengues të përdorimit të gjuhës me të cilën bashkëjeton. Madje, kërkon përkrahje nga komuniteti shqiptar për mbrojtjen e vlerave të tij gjuhësore, etnike dhe kombëtare, ndërsa njëkohësisht cenon vlerat, gjuhën dhe identitetin e pjesëtarëve të komunitetit që i ofron këtë mbështetje”, deklaroi Ziberi. /SHENJA/

