Zgjedhjet vendore në Shqipëri, Rama: Jo e vështirë të fitosh me kundërshtar të padenjë

Zgjedhjet vendore në Shqipëri, Rama: Jo e vështirë të fitosh me kundërshtar të padenjë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore në vend që priten të mbahen më 14 maj.

Në një komunikim me gazetarët, Rama u shpreh se PS synon fitore të thellë në zgjedhjet vendore duke shtuar se ata kërkojnë që të shkojnë përtej fitores aritmetike që sipas tij është e sigurt.

Ai ka thënë se fitorja nuk është e vështirë kur ke përball “kundërshtar të padenjë” për të garuar në zgjedhje.

“Për fat të keq janë nën nivelin e duhur”, ka thënë Rama duke refuzuar të komentojë akuzat e grupimit të Sali Berishës se ai kontrollon drejtësinë dhe ka ndikuar në vendimin e Gjykatës së Apelit për logon e Partisë Demokratike.
“Shiko, unë e kam thënë dhe e përsëris, nuk merrem. Nuk kam asnjë disponim të merrem me polemika të politikës së “gërr gërrit” të përditshëm. Nëse kemi kohë në dispozicion dhe energjitë nuk na mungojnë, le t’i vëmë në shërbim të temave që janë tema me vlera dhe me rëndësi”, theksoi ai.

Më tej Rama ka shtuar se PS është drejt zyrtarizimit të të gjithë kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet vendore.

MARKETING