Zëvendësuesi i Eriksen, United huazon mesfushorin e Bayernit

Zëvendësuesi i Eriksen, United huazon mesfushorin e Bayernit

Christian Eriksen u dëmtua në ndeshjen e FA Cup përballë Reading, takim të cilin Manchester United e fitoi 3-1. Mesfushori danez pritet të qëndrojë larg fushave deri në muajin prill si pasojë e problemeve në kyçin e këmbës.

Dëmtimi i tij ndikoi që “Djajtë e Kuq” të hidheshin në merkato për të gjetur zëvendësuesin dhe në orët e fundit ia dolën të siguronin shërbimet e Marcel Sabitzer nga Bayern Munchen.

28-vjeçari austriak është huazuar në “Old Trafford” deri në fund të sezonit. Në akordin e United me Bayern Munchen nuk është vendosur asnjë opsion blerjeje nga klubi anglez.

Sabitzer luan në qendër të mesfushës, por mund të bëjë edhe rolin e sulmuesit të djathtë dhe atë të mesfushorit ofensiv. 15 milionë euro pagoi Bayerni për ta marrë nga Leipzigu në verën e vitit 2021, por lojtari austriak nuk ia doli kurrë të kthehej në një titullar fiks te bavarezët.

Tani do të provojë aventurën angleze te skuadra e Erik ten Hag, i cili përveç Eriksen ka të dëmtuar edhe dy mesfushorët e tjerë: Donny Van de Beek (ka mbyllur sezonin) dhe Scot McTominay, i cili do të qëndrojë disa javë jashtë.

Ndonjëherë në jetë duhet të marrësh vendime të shpejta dhe të rëndësishme. Që në momentin që dëgjova për këtë mundësi e kuptova se ishte e duhura për mua.

Unë jam një lojtar konkurrues, dua të fitoj dhe ta ndihmoj klubin të realizojë objektivat. E ndjej se jam në kulmin tim si lojtar dhe se mund t’i dhuroj skuadrës përvojën dhe energjinë time”, u shpreh Sabitzer.

MARKETING