Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti: Investimet turke, shembull i bashkëpunimit ekonomik dhe njerëzor

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti: Investimet turke, shembull i bashkëpunimit ekonomik dhe njerëzor

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, mori pjesë sot në Samitin Ekonomik Ballkanik “Rumelisiad”, ku theksoi rëndësinë e kësaj platforme si një mundësi e vlefshme për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe për promovimin e investimeve të huaja direkte në rajon.

MARKETING

“Parimet e bashkëpunimit, zhvillimit dhe integrimit ekonomik janë udhërrëfyesit tanë në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për të ndërtuar një klimë të qëndrueshme dhe transparente për investitorët, duke ofruar siguri politike, stabilitet ekonomik dhe mbështetje institucionale”, – deklaroi Izet Mexhiti.

Ai shtoi se çdo investim i huaj nuk është vetëm një injeksion kapitali në ekonomi, por një hap drejt rritjes së konkurrueshmërisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të standardit të jetesës për qytetarët.

Duke iu referuar bashkëpunimit të veçantë me Turqinë, Mexhiti nënvizoi se investimet turke nuk mbështeten vetëm në logjikën e tregut, por përçojnë ndjeshmëri të thellë ndaj nevojave lokale dhe forcojnë lidhjet me komunitetet vendore. Ai theksoi se ky është një partneritet që shtrihet përtej ekonomisë – në arsim, kulturë dhe jetën shoqërore – duke reflektuar rolin e pazëvendësueshëm të komunitetit turk në vendin tonë.

Në këtë frymë, Mexhiti vlerësoi hapjen e fabrikës Shahterm si një model të bashkëpunimit të suksesshëm mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

Shahterm nuk është vetëm një kompani. Ajo është dëshmi konkrete e asaj që ne synojmë si shtet: investime cilësore që gjenerojnë vende të reja pune, rritje të kapaciteteve prodhuese dhe ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët tanë”, – theksoi Izet Mexhiti.

Ai përfundoi duke riafirmuar angazhimin e Qeverisë për tërheqjen e investimeve strategjike dhe fuqizimin e partneriteteve ekonomike që çojnë drejt zhvillimit të qëndrueshëm rajonal.

MARKETING