Zelenskyy konfirmon armëpushimin 3-ditor dhe shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë të njoftuar nga Trump

Zelenskyy konfirmon armëpushimin 3-ditor dhe shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë të njoftuar nga Trump

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka konfirmuar një armëpushim tre-ditor, si dhe një shkëmbim të të burgosurve me Rusinë, të cilin presidenti amerikan, Donald Trump, e përshkroi si një hap të mundshëm drejt përfundimit të luftës që po zgjat prej më shumë se katër vitesh, transmeton Anadolu.

Zelenskyy në rrjetin social amerikan X tha se pala ukrainase pranoi “marrëveshjen e Rusisë për të zhvilluar një shkëmbim të të burgosurve në formatin 1.000 me 1.000” në kuadër të negociatave të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

“Një regjim armëpushimi gjithashtu duhet të vendoset më 9, 10 dhe 11 maj. Ukraina po punon vazhdimisht për t’i kthyer njerëzit e saj nga robëria ruse. I kam udhëzuar ekipet tona që të përgatisin menjëherë gjithçka të nevojshme për shkëmbimin”, tha Zelenskyy.

Ai falënderoi presidentin Trump dhe ekipin e tij për “angazhimin e tyre produktiv diplomatik”, duke shtuar se Ukraina pret që SHBA-ja “të sigurojë që pala ruse t’i përmbushë këto marrëveshje”.

Vetëm pak minuta më herët, Trump në një deklaratë në Truth Social tha se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për armëpushimin dhe shkëmbimin e të burgosurve, duke shprehur vlerësimin e tij për pranimin e marrëveshjes nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti Zelenskyy.

“Shpresojmë që ky të jetë fillimi i fundit të një lufte shumë të gjatë, vdekjeprurëse dhe të ashpër. Bisedimet për përfundimin e këtij konflikti madhor, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore, po vazhdojnë dhe ne po afrohemi gjithnjë e më shumë çdo ditë”, shtoi Trump.

MARKETING