Zelenskyy: Fundi i vitit 2026 deri në verën e vitit 2027, periudhë realiste për marrëveshjen e paqes në Ukrainë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se periudha më realiste për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike që do t’i jepte fund luftës së Rusisë me Ukrainën është nga fundi i vitit 2026 deri në verën e vitit 2027, raporton Anadolu.
Duke folur në një ceremoni me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar në Kiev, Zelenskyy tha se të dyja palët vazhdojnë të kenë dallime lidhur me çështjen e tërheqjes së Ukrainës nga Donbasi, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje.
“Ne besojmë se kjo është faza më aktive në të cilën diplomacia mund të çojë në përfundimin e luftës. Bëhet fjalë për fundin e këtij viti deri në fund të verës së vitit 2027”, tha ai.
Zelenskyy tha se një nga opsionet për armëpushim që po diskutohet me SHBA-në dhe Evropën përfshin tërheqjen reciproke të forcave dhe krijimin e një “zone të lirë ekonomike” tampon, të administruar nga një palë e tretë.
Ai shtoi se Ukraina është e gatshme të diskutojë një ndalim të ndërsjellë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe bujqësore.
Udhëheqësit e vendeve skandinave dhe shteteve baltike morën pjesë në aktivitetin e së dielës.
Mungesa në buxhetin e mbrojtjes
Zelenskyy gjithashtu tha se Ukraina përballet me një mungesë prej 27 miliardë dollarësh në buxhetin e saj të mbrojtjes, ndërsa nevojiten paraprakisht 8 deri në 10 miliardë dollarë për të mbuluar fillimin e vitit 2027.
Ai tha se nevojiten edhe afër 20 miliardë dollarë të tjerë për pagat e ushtarakëve, pagesat për familjet e pjesëtarëve të forcave të armatosura të vrarë në vijën e frontit dhe shpenzime të tjera.
Presidenti ukrainas tha se Kievi ende nuk ka arritur prodhimin masiv të raketave të veta balistike për shkak të problemeve teknike, duke shtuar se dy kompani po punojnë në këtë program.
“Kur të ketë prodhim masiv, atëherë do të jemi në gjendje t’i shkaktojmë armikut goditje të dhimbshme në përgjigje të terrorit të tyre”, tha ai.
Sipas tij, Ukraina mund të fillojë prodhimin e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot së bashku me Raytheon.
Ai tha se kompania amerikane tashmë ka zhvilluar një takim fillestar teknik me zyrtarët ukrainas, ndërsa kompania ukrainase e mbrojtjes Fire Point është përzgjedhur si partnere e projektit.
Zelenskyy theksoi se Kievi pret në javët e ardhshme një vlerësim lidhur me afatin kohor dhe realizueshmërinë e projektit.
Ai njoftoi gjithashtu dërgesa të radarëve francezë të mbrojtjes ajrore dhe të një sistemi SAMP/T gjatë vjeshtës, duke shtuar se marrëveshjet për raketa shtesë Aster 30 pritet të nënshkruhen në shtator.
Zelenskyy tha gjithashtu se Ukraina ka arritur një marrëveshje me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, për dërgimin e 600 raketave PAC-2 për sistemet Patriot gjatë viteve 2027-2028, duke theksuar se raketat PAC-2 mund të interceptojnë edhe raketa balistike, megjithëse për operacione të tilla nevojiten më shumë raketa interceptuese.
Sipas tij, Ukraina ka nevojë për rreth 360 raketa Patriot për periudhën e dimrit, ndërsa prodhimi vjetor global është rreth 600.
Përjashton mbajtjen e zgjedhjeve gjatë luftës
Zelenskyy gjithashtu tha se themeluesi i SpaceX, Elon Musk, kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës për përdorimin e komunikimeve satelitore Starlink mbi territorin rus për qëllime të lidhura me mbrojtjen.
Në të njëjtën kohë, Zelenskyy tha se Ukraina tani po merr sinjale më inkurajuese nga ekipi i Musk dhe vazhdon të kërkojë një zgjidhje.
Ai konfirmoi gjithashtu se Ukraina ka shënjestruar qëllimisht magazinat e Wildberries, shitësit më të madh me pakicë në internet në Rusi.
“Pse godasim pikërisht Wildberries, sepse aty bëhet edhe furnizimi me mallra ushtarake dhe qarkullojnë shumë para”, tha ai.
Sa i përket politikës së brendshme, Zelenskyy e përshkroi mbajtjen e zgjedhjeve gjatë luftës si një “cunami për shtetin” që mund ta përçajë Ukrainën.
Ai tha gjithashtu se agjencitë kundër korrupsionit duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Duke komentuar një hetim që përfshin zyrtarë të lartë të zyrës presidenciale, Zelenskyy tha se kishte baza të mjaftueshme për shkarkimin e menjëhershëm të zv/shefes së zyrës presidenciale, Iryna Mudra, pasi në ambientet e saj u kryen kontrolle.

