Zelenskyy: Do të ndihmojmë përpjekjet për stabilizimin e Sirisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se do të ndihmojnë të gjitha përpjekjet për stabilizimin e Sirisë, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e tij në rrjetet sociale, Zelenskyy njoftoi se ka pritur në takim kryediplomatin ukrainas, Andrii Sybiha si dhe ministrin e Politikës Bujqësore dhe Ushqimit, Vitaliy Koval.
Zelenskyy thekson se është informuar nga të dy ministrat lidhur me raportin që kanë përgatitur pas vizitës në Siri.
“Do të ndihmojmë të gjitha përpjekjet për të stabilizuar Sirinë. Do të zhvillojmë programin e grurit në Ukrainë në bashkëpunim me administratën siriane dhe të gjithë partnerët që janë të gatshëm të mbështesin. Do të jemi në kontakt me Evropën dhe SHBA-në për të siguruar që mbështetja të jetë sa më e fortë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Ndërkohë, gjatë kontakteve të tyre në kryeqytetin e Sirisë, Damask, më 30 dhjetor 2024, ministri Sybiha zhvilloi takime me kreun e administratës së re, Ahmed Sharaa, kryeministrin e administratës së përkohshme, Mohammed al-Bashir dhe ministrin e Jashtëm, Asaad Hassan al-Shaybani.