Zelensky: Donbas, qendra e luftimeve më të pamëshirshme

Zelensky: Donbas, qendra e luftimeve më të pamëshirshme

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se në rajonin e Donbasit po zhvillohen konfliktet më të rënda në luftën që vazhdon në vendin e tij kundër Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në video-mesazhin e tij ditor që ka postuar në orët e natës Zelenskyy iu drejtua popullit të Ukrainës lidhur me luftën që vazhdon prej 11 muajsh mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Ashtu si në kohët e fundit, luftimet më të rënda vazhdojnë në rajonin e Donbasit të Ukrainës”, tha Zelenskyy i cili shtoi se “Donbasi është qendra e luftimeve më të pamëshirshme”.

Ai vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes me armë që sigurojnë vendet partnere për Ukrainën dhe shpjegoi se edhe Kanadaja ka përgatitur një paketë të ndihmës me armë për vendin e tij. “E di që në të ardhmen e afërt do të ndërmerren hapa të reja dhe që kemi me të vërtetë nevojë për të mbështetur mbrojtjen tonë”, tha Zelenskyy.

– Në aksidentin e helikopterit humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 25 të tjerë

Në fjalën e tij, Zelenskyy rikujtoi se në aksidentin e helikopterit në qytetin Brovary në rajonin e kryeqytetit Kiev humbi jetën ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrskyi dhe ekipi i tij. Ai theksoi se në aksident humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 25 të tjerë.

“Helikopteri në të cilin ndodhej ministri Monastyrskyi dhe zëvendësit e tij u rrëzua mbi një shkollë në Brovary”, tha Zelenskyy duke shtuar se punimet e kërkim-shpëtimit në vendngjarje vazhduan për 9 orë. Zelenskyy bëri të ditur se në mesin e personave që humbën jetën është një fëmijë ndërsa në mesin e të plagosurve 11 fëmijë.

Presidenti ukrainas tha se ka filluar një hetim lidhur me aksidentin dhe se “SBU (Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës) ka filluar procedim penal rreth kësaj ngjarjeje të tmerrshme”.

MARKETING