Zekolli demanton: Nuk janë hequr mjete për Korridorin 8, projekti po vazhdon sipas planit dhe mbetet prioriteti kryesor infrastrukturor i shtetit

Zekolli demanton: Nuk janë hequr mjete për Korridorin 8, projekti po vazhdon sipas planit dhe mbetet prioriteti kryesor infrastrukturor i shtetit

Zv/ministrja e Transportit dhe Lidhjes, Kaltrina Zekolli, ka demantuar informacionet e publikuara lidhur me uljen mjeteve për ndërtimin e Korridorit 8. Ajo thotë se sipas planprogramit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, për vitin 2026 për projektet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d janë paraparë rreth 103 milionë euro.
“Nga këto mjete, mbi 60 milionë euro tashmë janë lëshuar gjatë këtij viti, në mënyrë që kompania realizuese të vazhdojë punimet në terren sipas planprogramit dhe dinamikës së paraparë. Kjo dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për reduktim të mjeteve, por për vazhdim të realizimit të projektit sipas planifikimit financiar dhe operacional”, ka shkruar Zekolli.
Sa i përket çështjes së punëtorëve të angazhuar në projekt, thotë Zekollit, është e rëndësishme të theksohet se menaxhimi i fuqisë punëtore është përgjegjësi ekskluzive e konsorciumit realizues.
“Edhe vetë kompania “Bechtel & Enka” është prononcuar publikisht se çdo riorganizim i stafit është vendim i saj operacional dhe nuk lidhet me detyrime financiare të papërmbushura nga ana e shtetit.
Korridori 8, së bashku me Korridorin 10d, është ndër projektet më të rëndësishme strategjike dhe infrastrukturore për vendin. Për këtë arsye, me ardhjen tonë në qeveri kemi punuar intenzivisht në secilin segment të tij, duke siguruar që punimet në terren të jenë të dukshme dhe të avancojnë sipas planit. Realizimi i plotë i Korridorit 8 mbetet prioritet i panegociueshëm dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e tij”, shkruan më tej Zekolli.
Zekollit thotë se sa i përket segmentit të fundit që realizon lidhjen me Shqipërinë, është e rëndësishme të theksohet se trasa e projektuar nga qeveria e kaluar, sipas saj, nuk ka qenë e verifikuar në raport me kufizimet që lidhen me zonat e mbrojtura nga UNESCO.
“Kjo është një çështje që e kemi trashëguar nga vendimmarrjet e mëparshme. Megjithatë, për të vepruar me përgjegjësi institucionale, projekti me trasenë e paraparë është dërguar për shqyrtim në UNESCO dhe institucionet do të veprojnë në përputhje me vlerësimin përfundimtar. Në të njëjtën kohë po shqyrtohen edhe alternativa të tjera të mundshme, sepse realizimi i plotë i Korridorit 8 dhe lidhja me Shqipërinë mbetet prioritet strategjik dhe do të realizohet.
Përpjekjet për ta relativizuar apo për ta paraqitur këtë projekt si të bllokuar nuk qëndrojnë përballë fakteve. Faktet dhe të dhënat zyrtare janë të qarta projekti po vazhdon sipas planit dhe mbetet prioriteti kryesor infrastrukturor i shtetit”, qëndron në shkrimin e zv/ministres Zekolli.

MARKETING