Zejdi Rexhepi në Gjykatën Kushtetuese dorëzon iniciativë kundër metodologjisë së regjistrimit të popullsisë në vitit 2021
Deputeti Skender Rexhepi-Zejd dhe kryetar i Lëvizjes Populli sot në Gjykatën Kushtetuese dorëzoi iniciativë për të kundërshtuar Metodologjinë e realizimit të regjistrimit në RMV – të vitit 2021 në pjesën e ndarjes së popullsisë në rezidentë dhe jorezidentë, sepse tani punësimi dhe shpërndarja e parave në komuna bëhet sipas këtyre shifrave të regjistrimit.
Në deklaratën për media ai tha se janë shkelur nenet 8, 9 dhe 51 të Kushtetutës dhe nenet 6, 7 dhe 17 të Ligjit për regjistrim.
“Në nenin 8 të Kushtetutës së RMV-së thuhet qartë se sundimi i ligjit në përputhje me të gjitha aktet e miratuara është e drejtë kushtetuese dhe duhet të vendoset në mënyrë hierarkike – pushteti shtetëror duhet të ndahet në ekzekutiv, gjyqësor dhe ligjvënës siç është përcaktuar tashmë. Neni 51 tashmë e konfirmon këtë në Kushtetutë dhe thotë se secili ligj duhet të miratohet në përputhje me Kushtetutën dhe të gjitha aktet e tjera duhet të miratohen në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e RMV-së, që është e kontestuar dhe e cila nuk është e njëjtë në çështjet që kemi paraqitur para Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Rexhepi.
Në nenin 9 të Kushtetutës së RMV-së thuhet se të gjithë qytetarët e RMV-së janë të barabartë para drejtësisë dhe ligjeve, gjegjësisht se të gjitha të drejtat duhet t’i shfrytëzojnë në mënyrë të barabartë pa ndarje.