Zbulohet mashtrim doganor me suplemente ushqimore në vlerë mbi 622 mijë denarësh

Autoritetet doganore të Maqedonisë së Veriut kanë ngritur kallëzim penal për veprën penale “mashtrim doganor”, ndaj një importuesi të suplementeve ushqimore, disa kompanive të transportit detar dhe agjentëve të licencuar. Sipas autoriteteve, këto subjekte kanë bashkëpunuar për të paraqitur të dhëna të rreme gjatë deklarimit të mallrave, duke i shkaktuar Buxhetit të Maqedonisë së Veriut një dëm financiar prej 622.492 denarësh.
Veprimtaria e paligjshme është zhvilluar gjatë periudhës tetor 2022 – maj 2023, kur janë kryer një sërë importesh që nuk janë deklaruar saktë. Kontrolli i inspektorëve të Departamentit për Kontrollin e Shoqërive Tregtare zbardhi mashtrimin, pas së cilës rasti u referua në Departamentin për Hetime, i cili ngriti kallëzime penale në Prokurorinë Publike kompetente.
Përveç kallëzimeve penale, janë lëshuar edhe vendime për mbledhje shtesë të detyrimeve doganore që rezultojnë nga deklarimet e pasakta.
Në një deklaratë zyrtare, Drejtoria e Doganave theksoi se do të vazhdojë zbatimin e masave për mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg.