Xi thekson përkushtimin e Kinës për raporte të mira me SHBA-në

Xi thekson përkushtimin e Kinës për raporte të mira me SHBA-në

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping të enjten në Pekin, në kuadër të një udhëtimi tre-ditor në Kinë.

Kjo është vizita e parë e Sullivanit në Kinë si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe një vizitë që synon ruajtjen e komunikimit për të shmangur dallimet në lidhje me Tajvanin dhe çështje të tjera, raporton AP.

Të dyja qeveritë janë të etura për t’i ruajtur marrëdhëniet përpara një ndryshimi në presidencën e SHBA-së në janar.

Xi ka thënë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë përgjegjëse për historinë, për njerëzit dhe për botën, dhe duhet të jenë një burim stabiliteti për paqen botërore.

“Derisa ndryshime të mëdha kanë ndodhur në të dy vendet dhe në marrëdhëniet Kinë-SHBA.

Përkushtimi i Kinës për një Kinë-SHBA të qëndrueshme, mbetet i pandryshuar. Parimi i saj në trajtimin e marrëdhënieve të bazuara në respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin fitues, mbetet i pandryshuar, pozicioni i saj për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të vendit mbetet i pandryshuar dhe përpjekjet e tij për të çuar përpara miqësinë tradicionale mes popullit kinez dhe amerikan mbeten të pandryshuara”, raportohet t’i ketë thënë Xi Sullivanit.

Sullivan ndërkaq ka thënë se ai është dërguar nga presidenti Joe Biden për të “ruajtur një komunikim strategjik të nivelit të lartë, që është thelbësor për menaxhimin me përgjegjësi të marrëdhënies mes dy vendeve”.

“Ne jemi të përkushtuar për të ruajtur diplomacinë e nivelit të lartë”, i ka thënë Sullivan Xi-së.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur të mërkurën se të dy vendet do të planifikojnë një telefonatë mes Xi-së dhe Bidenit në javët e ardhshme.

Nuk ka ndonjë tregues nëse të dy udhëheqësit mund të takohen personalisht përpara se Bideni të largohej nga Zyra Ovale.

MARKETING