Xhaferi takon Plenkoviqin: Me Kroacinë nuk kemi çështje të hapura
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot realizoi takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq i cili qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim të pranishëm kanë qenë edhe nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, kryetarja e Grupit parlamentar të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kroacisë, Bllagica Llasovska, si edhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.
Kryeministrin kroat ka qenë i shoqëruar nga Davor Filipoviq, ministër i Ekonomisë dhe Ermina Lekaj Përljaskaj, deputete në Parlamentin kroat, përgjegjëse për minoritetet në Kroaci.
“Duke i uruar mysafirit mirëseardhje si përfaqësues i një shteti miqësor dhe të afërm me të cilin nuk kemi çështje të hapura, Xhaferi drejtoi edhe mirënjohje të madhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që Republika e Kroacisë ia jep perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Theksoi se korrikun e kaluar e mbajtëm konferencën e parë ndërqeveritare me çka e hapëm procesin e aderimit dhe e pranuam propozimin francez, gjegjësisht pranuam hyrje edhe të bashkësive tjera etnike në Kushtetutë me qëllim që t’i hapim negociatat sipas kllasterëve, sipas metodologjisë së re. Theksoi se procesi nuk është i lehtë edhe pse vendimet merren në interes të qytetarëve, në publik parashtrohet dilema nëse ky është kushti i fundit”, thuhet në kumtesën e Pres shërbimit të Kuvendit.
Më tej, Xhaferi ka informuar për pjesëmarrjen e shtetit në bashkëpunimin në nivelin rajonal, si Procesi i Berlinit, Nisma Ballkani i Hapur, ndërsa është ndalur edhe në kryesimin tonë të radhës me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe aktivitetet që do të organizohen në Kuvend. Xhaferi theksoi se Maqedonia e Veriut iu bashkëngjit gjitha sanksioneve dhe masave restriktive në lidhje me agresionin rus në Ukrainë dhe arriti harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Unionit.
“Informoi edhe për formimin e Grupit parlamentar ndërpartiak për mbështetjen e Platformës së Krimesë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në raport me kryesimin me OSBE-në, shprehu bindjen se si kryesues do të arrijmë t’i përmbushim pritjet”, citohet të ketë thënë Xhaferi.
Nga ana tjetër, kryeministri kroat Plenkoviq shprehu mirënjohje për pritjen në Kuvend dhe për mundësinë të drejtohet para deputetëve. Raportet bilaterale i vlerësoi si të përzemërta dhe miqësore, theksoi se të dy vendet kanë raport partnerial në NATO dhe janë fqinjë në kuptimin më të gjerë. Rikujtoi se Maqedonia e Veriut para Kroacisë e nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me Bashkimin Evropian dhe drejtoi mesazh, si përfaqësues i një shteti që e ka kaluar rrugën, krahas të gjitha dilemave të arsyeshme, të bëhen përpjekje të arrihet marrëveshje politike që shteti të përparojë në rrugën evropiane dhe mos humbet më shumë kohë. Modelin, siç theksoi Plenkoviqi, doemos ta gjejë vetë shteti. Ofroi mbështetje të përzemërt për arritjen e qëllimit që shteti deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Ermina Lekaj Përljaskaj, deputete në Parlamentin kroat, përgjegjëse për minoritetet në Kroaci informoi se ekzistojnë 5 minoritete nacionale në Parlament, ndërsa bashkëpunimin me maqedonasit në Kroaci e vlerësoi si shumë të suksesshëm.