Vuçiq i përgjigjet Ramës: Propozimin për Asociacionin e japin serbët

Vuçiq i përgjigjet Ramës: Propozimin për Asociacionin e japin serbët

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se askush përveç komunitetit serb nuk ka të drejtë të bëjë propozim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Vuçiq ka përmendur në një intervistë për “Reuters” se propozimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë paraqitur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri shqiptar Edi Rama, si dhe disa organizata joqeveritare.

“Asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë çfarëdo propozimesh. Propozimin e japin serbët dhe Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi në një konferencë për shtyp se më 7 qershor i ka përcjellë presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz draftin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se çdo kontribut konstruktiv në dialog, në të cilin diskutohet për Asociacionin, është i mirëpritur, por se dialogu është e vetmja platformë ku duhet të zhvillohet diskutimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët ka propozuar draftin e tij, duke u bazuar në shembullin e pozitës së serbëve në Kroaci.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga obligimet e Kosovës për të cilën BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës insistojnë më së shumti, dhe pajtimi për formimin e tij është arritur në vitin 2013, si pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./REL

MARKETING