Vritet një grua shtatzënë në Malishevë, bashkëshorti i saj dyshohet për vrasjen
Një grua shtatzënë është vrarë me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar për vrasjen, është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit.
Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi më 24 gusht se gruaja ka pësuar plagë nga arma e zjarrit dhe së është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku më pas ka vdekur.
Bashkëshorti i saj është dërguar, po ashtu, për trajtim në QKUK dhe ndodhet në gjendjekritike për jetën.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se në çfarë rrethanash janë plagosur gruaja dhe bashkëshorti i saj, apo se kush ka shtënë me armë.
Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, bëri të ditur Prokuroria në Gjakovë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se “ky rast është një tjetër alarm i rëndë për të gjithë shoqërinë dhe për institucionet”.
“Nuk mjafton të reagojmë pasi të humbet një jetë. Duhet të parandalojmë dhunën përpara se ajo të bëhet e pakthyeshme”, shkroi ajo në Facebook.
Si koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ajo kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë rast “me seriozitetin maksimal dhe të mos lënë asnjë rrethanë pa u hetuar”.
Ndërkohë, Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi në lidhje me ngjarjen, duke vlerësuar se çdo humbje e jetës së një gruaje në rrethana të dhunshme është alarm serioz për institucionet dhe shoqërinë.
RRGK kërkoi “hetime të plota, të pavarura dhe të shpejta për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit, si dhe vendosjen e përgjegjësisë sipas ligjit”.
“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, garantimin e drejtësisë dhe parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Çdo neglizhencë institucionale mund të ketë pasoja fatale”, thuhet në një reagim të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të grave, me bazë në Prishtinë.
Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Ekspertët e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë argumentuar se institucionet nuk po trajtojnë me seriozitet personat me të kaluar kriminale.
Dënimet e lehta, sipas tyre, po i “trimërojnë” ata që të vazhdojnë veprimtarinë kriminale./REL

