Vrapçishti, AKI nis fushatën: Taravari dhe Ahmeti në mbështetje të Shabanit
Koalicioni AKI ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore në komunën e Vrapçishtit, me pjesëmarrjen e kandidatit për kryetar komune, Isen Shabani, si dhe liderëve të koalicionit, Arben Taravari dhe Ali Ahmeti.
Tubimi shënoi fillimin e angazhimit zgjedhor të AKI-së në këtë komunë, me fokus në mobilizimin e qytetarëve dhe synimin për fitore më 11 janar.
Kandidati për kryetar, Isen Shabani, gjatë fjalimit të tij përmendi projektet e realizuara gjatë dy mandateve të kaluara. Ai theksoi se çdo shkollë në komunë është rinovuar dhe ofron kushte moderne për nxënësit. Po ashtu, ai njoftoi fillimin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimit në çdo fshat, me një gjatësi totale prej 51 kilometrash, duke e bërë Vrapçishtin komunën e parë rurale në vend me kanalizim të përhapur në të gjitha vendbanimet.
Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, ftoi banorët e Vrapçishtit të mobilizohen për të siguruar një fitore të ngjashme me atë të 19 tetorit. Ai e përmendi Shabanin si konkurrencë kryesore ndaj ish-shefit të kabinetit dhe citoi shembullin e Mehmet Seferit nga VLEN, i cili sipas tij, kishte humbje të thellë nga Shabani në raundin e parë të zgjedhjeve.
Ndërkaq, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u shpreh i bindur për fitoren e AKI-së dhe të Isen Shabanit në Vrapçisht. Ai kritikoi koalicionin VLEN, duke e quajtur “vasal të VMRO-DPMNE-së”, dhe theksoi se shqiptarët po përballen me sfida në Maqedoni, ndërsa faktorët ndërkombëtarë nuk i konsiderojnë më seriozisht.

