Vonn operohet pas rënies në Cortina, gjendja e saj e stabilizuar
Skiatorja amerikane Lindsey Vonn i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi pësoi një frakturë në këmbën e majtë gjatë një rënieje të rrezikshme në Cortina d’Ampezzo.
Pas aksidentit, Vonn mori fillimisht ndihmën e shërbimit mjekësor rajonal për Lojërat Olimpike, për t’u transportuar më pas me helikopter në Poliklinikën Codivilla në Cortina dhe më vonë në spitalin Ca’ Foncello në Treviso.
Ndërhyrja kirurgjikale ortopedike u krye gjatë pasdites së djeshme dhe, sipas informacioneve të para, gjendja e skiatores ka qenë stabile. Detaje më të hollësishme mbi gjendjen shëndetësore të saj pritet të bëhen të ditura gjatë ditës së sotme.
Incidenti ndodhi gjatë provës zyrtare të zbritjes së lirë në pistën “Olympia delle Tofane”, ku Vonn u rrëzua vetëm pak sekonda pas nisjes. Gara u ndërpre menjëherë, ndërsa kampionia amerikane u dëgjua duke bërtitur nga dhimbjet.
Kujtojmë se më herët ajo kishte deklaruar se kishte lënduar ligamentin krociat gjatë garës së fundit të Kupës së Botës në Crans-Montana.
“Lindsey Vonn ka pësuar një lëndim, por gjendja e saj është stabile. Ajo ndodhet në duar të sigurta falë një ekipi mjekësh amerikanë dhe italianë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Federatës Amerikane të Skive.
Pas rënies së Vonn, gara u ndërpre sërish për shkak të aksidentit të skiatores nga Andorra, Cande Moreno, e cila gjithashtu u transportua me helikopter. Ndërkohë, austriakja Nina Ortlieb u rrëzua, por arriti të ngrihej pa pasoja serioze.

