VMRO: Partitë në pushtet përdorin grupet kriminale për të frikësuar kundërshtarët brenda radhëve të veta
VMRO-ja ka vazhduar kritikat ndaj partive në pushtet. Sipas tyre, sa më shumë që rritet ndjenja antiqeveritare te qytetarët, aq më shumë nervozohen drejtuesit e LSDM-së dhe të BDI-së.
“Filluan me ofendimet ndaj kundërshtarëve politikë, më pas vazhduan me etiketimin e mediave dhe tani nisin të kthehen kundër anëtarëve të tyre që kundërshtojnë politikat e tyre destruktive, krimin dhe korrupsionin. Nën sulmin e kësaj qeverie jopopullore dhe jodemokratike janë deputetë nga radhët e pushtetit të cilët besojnë se agonia me këtë qeveri të udhëhequr nga Kovaçevski duhet të ndalet dhe të bëhen zgjedhje”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Partia pretendon se këta deputetë në Parlament pësojnë kërcënime të drejtpërdrejta të llojit “të këqija do të ndodhin me ju dhe të dashurit tuaj nëse mbështesni zgjedhjet”, por edhe kërcënime të tërthorta përmes ndërmjetësve. “Autoritetet po përdorin grupet kriminale që janë përdorur gjatë gjithë kësaj periudhe për biznese të dyshimta dhe aktivitete kriminale për frikësim dhe presion ndaj deputetëve”, thekson VMRO-ja.