VMRO-DPMNE: Prokurorja Lejla Kadriu u suspendua gjatë hetimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

VMRO-DPMNE: Prokurorja Lejla Kadriu u suspendua gjatë hetimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

VMRO-DPMNE ka akuzuar se ish-prokurorja Lejla Kadriu është suspenduar gjatë qeverisjes së LSDM-së, me qëllim që – sipas tyre – të pengohej ndjekja penale e funksionarëve të lartë lidhur me zjarrin tragjik në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.

Nga kjo parti thonë se vendimet për ndërtimin dhe funksionalizimin e spitaleve modulare janë marrë duke anashkaluar procedurat ligjore. Sipas pretendimeve të tyre, ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ish-kryeministri Zoran Zaev, kanë lejuar që objektet të trajtohen si “pajisje urbane”, përmes një procedure të përshpejtuar që përqendronte miratimin vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

VMRO-DPMNE i referohet deklaratave të Kadriut, e cila ka theksuar se në ndërtimin e spitalit janë përdorur materiale të papërshtatshme dhe se nuk ka pasur elaborat të rregullt për instalimet elektrike. Sipas saj, këto mangësi kanë ndikuar në shpërthimin e zjarrit që përfundoi me pasoja fatale.

Partia opozitare ngrit gjithashtu dyshime për lartësinë dhe destinimin e mjeteve të shpenzuara për ndërtimin e spitaleve modulare, duke kërkuar transparencë të plotë për procesin.

Sipas VMRO-DPMNE-së, momenti kyç që çoi në suspendimin e Kadriut ishte propozimi i saj për realizimin e një ekspertize ndërtimore, pas së cilës ajo u largua nga rasti. Ata pretendojnë se, nëse hetimi do të kishte vazhduar pa presione, përgjegjësia mund të kishte arritur deri te strukturat më të larta qeveritare të kohës.

VMRO-DPMNE kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm për tragjedinë në Tetovë, si dhe zbardhjen e të gjitha dyshimeve, me qëllim vendosjen e përgjegjësisë institucionale për një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur vendin në vitet e fundit.

MARKETING