VMRO-DPMNE: LSDM dhe Zaevi kanë keqpërdorur fondet e Erasmus +

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, ka akuzuar ashpër opozitën LSDM dhe ish-kryeministrin Zoran Zaev për keqpërdorime të mëdha të fondeve të programit evropian Erasmus+ gjatë kohës sa ishin në pushtet.
Sipas zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, përmes Lidija Dimovës dhe Agjencisë Erasmus+, janë shpërndarë 83 mijë euro për trajnimin e gomarëve, si dhe 125 mijë euro të tjera për projektin “Zgjidh të djathin”, që i është dhënë vëllait të deputetit Dime Velkovski.
“LSDM-ja dhe Zaev, përmes Dimovës, shfrytëzonin fondet për qejfe personale dhe i shpërndanin projektet tek persona të afërt me partinë, përfshirë gjyqtarë, profesorë dhe familjarë të deputetëve. Buxheti i Agjencisë Erasmus+ u shter nga kjo mënyrë e papërgjegjshme e menaxhimit,” – deklaroi Manasievski.
Nga LSDM, tani në opozitë, kanë reaguar duke kritikuar Qeverinë e VMRO-DPMNE-së për mosveprim dhe heshtje, pavarësisht publikimit të skandalit. Ata kanë ngritur pyetjen pse drejtoresha në detyrë e Agjencisë Erasmus+ nuk është shkarkuar, edhe pse është konfirmuar se ajo është nën hetim nga OLAF – Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit.